Zyrtari i UNMIK-ut pengoi aksionin e Policisë në Zubin Potok, kishte me vete një motosharrë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë në lidhje me aksionin policor që ka zhvilluar gjatë ditës së martë në disa pjesë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në komunat veriore të Kosovës.

“Plani policor ka filluar se zbatuari ashtu siç ishte planifikuar në të gjitha rajonet në të cilat kryesisht kanë kaluar pa incidente, përjashtuar rajonin e Zubin Potokut, ku tek vendi i quajtur “Klisurë”, persona të panjohur kanë vendosur pengesa në rrugë si drunjë, ndezje të zjarrit dhe automjete të rënda, kamionë me pasha të rënda e të tjera”, thuhet në komunikatën për media të forcave të rendit.

Bëhet e ditur se në Zubin Potok, policët kishin hasur në rezistencë të armatosur me armë zjarri nga persona të dyshimtë dhe si pasojë e të shtënave janë plagosur dy zyrtarë policorë me qëllim të heqjes së barrikadave të vendosura nga qytetarët e kësaj pjese. “Shumica e të dyshuarve kanë qenë të dhunshëm gjatë arrestimit, dhe si pasojë e kësaj Policia është dashur që ta përdor forcën e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim që të dyshuarit ti vë nën kontroll”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Kjo e fundit ka qartësuar edhe situatën për sa i përket arrestimit të zyrtarit të UNMIK-ut me shtetësi ruse, që sipas policisë ka ndihmuar në vendosjen e barrikadave, gjegjësisht ka penguar zhvillimin e këtij aksioni policor.

“Vlen të theksohet se gjatë largimit të barrikadave dhe disa personave që kishin dalë në rrugë me qëllim të pengimit të policisë, disa herë është vërejtur një automjet Toyota ngjyrë e bardhë me targa dhe shenja të UN-it , e cila lëvizte bashkë me të dyshuarit në disa lokacione. Drejtuesi i veturës ka ndihmuar protestuesit e dhunshëm duke e vendosur veturën e tij zyrtare në mes të rrugës para personave të dyshuar dhe barrikadës së vendosur, ku në pjesën e pasagjerit është vërejtur se është nxjerr një Motosharrë, e cila nga personat e dyshuar është përdorur për prerjen e druve dhe vendosjen e tyre në barrikadë”, ka potencuar policia në njoftimin e saj.

Pavarësisht se zyrtarët policorë kishin kërkuar disa herë nga ky zyrtar i UNMIK-ut që ta lirojë rrugën, i njëjtë kishte refuzuar urdhrat policor duke refuzuar “të komunikojë, të identifikohet si dhe ta lirojë rrugën”.

“Zyrtarët policor duke u gjetur në një situatë të renduar në një zonë të rrezikshme janë detyruar ta nxjerrin nga makina me forcë dhe ta arrestojnë atë, për ta shoqëruar në polici. Personit në fjalë fillimisht iu është ofruar ndihma mjekësore në spitalin e Mitrovicës. Me urdhër të Kryeprokurorit kompetent të Mitrovicës personi i UN-it edhe pse i dyshuar për veprimet e tij të kundërligjshme, duke ja respektuar imunitetin personit në fjalë, nuk i është shqiptuar ndonjë masë e as ndalesë dhe i njëjti është liruar se bashku me veturën e tij dhe ju është dorëzuar stafit të UN-it në Mitrovicë, mirëpo ndaj të njëjtit është proceduar rasti për pengim të zyrtareve policor në kryerje të detyrës dhe pjesëmarrjes në turmë”, ka sqaruar policia.

Gjithashtu, Policia e Kosovës ka potencuar se ky aksion policor ka pasur për qëllim luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, bastisjen dhe arrestimin disa zyrtarëve policor. Gjatë këtij aksioni, të martën janë arrestuar 19 pjesëtarë të policisë, të cilët kanë qenë të dyshimtë, 10 qytetarë që kanë qenë të dyshuar, 9 qytetare të tjerë të cilët kanë penguar zyrtaret policor ne kryerje te detyrës si dhe 1 zyrtar të UNMIK-ut, i cili është liruar. Ndërsa, më pas janë arrestuar edhe 3 zyrtar policor, të cilët kanë qenë të përfshirë në urdhër arrest.

Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policor dhe të qytetarëve në veprat “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.