Zyrtari i VV-së paralajmëron mundësinë për rikthimin e PAN-it në pushtet

Sekretari për marrëdhënie me jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti ka deklaruar se çdo vonesë që bëhet për formimin e Qeverisë të udhëhequr nga partia e tij është mundësi për rikthimin në pushtetit të koalicionit PDK-AAK-Nisma, i njohur si PAN.

Sipas Ahmetit, dy pole janë në skenën politike të Kosovës, LVV-ja dhe PAN-i.

Zyrtari i VV-së, duket se ka besuar në raportimet e disa mediave sot se partnerët e koalicionin PAN janë takuar për ta formuar qeverinë.

“Kjo u pa edhe nga lajmi i publikuar para pak momenteve, që partitë e PAN-it janë takuar për të synuar krijimin e një koalicioni. Ky lajm u largua nga publiku me shpejtësi nga portali që e publikoi”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ndërkaq, PDK-ja gjatë ditës ka quajtur të pavërteta dhe spekulime raportimet në disa media vendore se kryetari i saj, Kadri Veseli ka takuar partnerët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, i njohur si PAN, për krijimin e koalicionit qeverisës.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë sërish thirrje kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurtit që t’i përgjigjet zyrtarisht me marrjen ose refuzimin e mandatarit për krijimin e qeverisë.

Ky është publikimi i plotë i Kreshnik Ahmetit në Facebook:

Dy pole janë në skenën politike të Kosovës: Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe PAN-i.

Çdo vonesë që i bëhet formimit të Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE! është mundësi për kthimin e PAN-it në pushtet. Kjo u pa edhe nga lajmi i publikuar para pak momenteve, që partitë e PAN-it janë takuar për të synuar krijimin e një koalicioni. Ky lajm u largua nga publiku me shpejtësi nga portali që e publikoi.

Largimi i PAN-it është kushti i ndryshimit. Prandaj, ndryshimin e domosdoshëm nuk mund ta sjellë PAN-i e as bashkëpunimi me pjesëzat e tij.