Zyrtarja amerikane: Varianti britanik i virusit mund të jetë më vdekjeprurës

Autoritetet shëndetësore ende janë duke i hulumtuar variantet e reja të koronavirusit, por të dhënat tregojnë se varianti B.1.1.7, që së pari u identifikua në Britaninë e Madhe, mund të jetë më vdekjeprurës se varianti fillestar.

“E dimë se disa nga variantet e kanë shtuar përhapjen, ka të dhëna që po shtohen e që tregojnë se disa prej varianteve, varianti B.1.1.7 në të vërtetë mund të shkaktojë shtim të vdekshmërisë”, tha Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA.

“Ne do të duhej ta ndiqnim shkencën dhe po mësojmë më shumë për të parë nëse masat tona për shëndetin publik, masat parandaluese, përdorimi i maskave, distanca, do të jenë plotësisht efektive kundër këtyre varianteve, por kemi çdo arsye për të besuar se do të jenë”, shtoi ajo.

Sipas zyrtares amerikane, tani kur autoritetet po kontrollojnë më shumë persona të prekur nga variantet e reja, po zbulojnë se këta njerëz në mënyrë tipike nuk përdorin maska dhe nuk e respektojnë distancën sociale, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Ajo që dimë është se variantet ndoshta do të falin më pak kur nuk e ndjekim këtë udhëzim”, tha në fund zonja Walensky.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten vendi më i prekur në botë nga pandemia me mbi 450.000 viktima deri më tani. Presidenti i ri, Joe Biden, ka premtuar se luftën kundër Covid-19 do ta ketë prioritet.